Pamje të reja të publikuara nga mediat greke hedhin më shumë dritë mbi arratisjen e të burgosurit shqiptar Edmond Tafa, i cili vijon të jetë në kërkim prej më shumë se 48 orësh.
Në videon e publikuar, 48-vjeçari shihet duke ecur qetësisht mes qytetarëve, pa ngjallur dyshime dhe pa lënë të kuptohet se sapo ishte larguar nga ambientet e burgut. Pamjet kanë shtuar pikëpyetjet mbi mënyrën se si ai arriti të largohej pa u vënë re nga autoritetet.
Arratisja u konstatua pak para orës 08:30 të mëngjesit të së martës. Tafa, i cili ishte i angazhuar në transportimin e bukës si pjesë e programit të punësimit në Deponë Qendrore të Furnizimeve të Burgut, arriti të zhdukej në rrethana që ende po hetohen.
Pas ngjarjes, autoritetet greke arrestuan dy oficerë burgu, të cilët akuzohen për lirimin e një të burgosuri. Ndërkohë, hetuesit po shqyrtojnë të gjitha pistat, përfshirë mundësinë e një arratisjeje të planifikuar me ndihmën e bashkëpunëtorëve.
Edmond Tafa po vuante një dënim për vepra penale që lidhen me trafikun e drogës dhe shkeljen e ligjit për armët. Sipas të dhënave zyrtare, ai pritej të lirohej në korrik të vitit 2031.
Kërkimet për kapjen e tij vijojnë në disa zona, ndërsa autoritetet greke mbeten në gatishmëri të lartë për lokalizimin dhe arrestimin e të arratisurit.
