Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar për mediat jashtë Kuvendit se përpjekjet për trajtimin e statusit të tij “non grata” në Shtetet e Bashkuara janë zhvilluar përmes procedurave të lobimit.
Berisha tha se nuk ka pasur lobim gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden, por shtoi se pas ndryshimit të administratës amerikane, lobimi ka qenë, sipas tij, rruga e vetme për adresimin e çështjes.
Ai u shpreh se masa e vetme ndaj tij ka qenë ndalimi i vizës, ndërsa pretendoi se përpjekjet për ta përfshirë në sanksione të tjera nuk kanë pasur sukses pas verifikimeve të autoriteteve amerikane.
I pyetur mbi financimin e lobimit, Berisha deklaroi se shpenzimet janë mbuluar nga një fondacion që, sipas tij, mbështet Partinë Demokratike dhe kauzat e saj politike.
Megjithatë, pavarësisht deklaratave të tij, autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar zyrtarisht ndryshime lidhur me statusin e tij, ndërsa në njoftimet e Departamentit Amerikan të Shtetit, Berisha dhe familjarët e tij vijojnë të figurojnë si persona të shpallur “non grata”.
Berisha përjashtoi gjithashtu mundësinë e dorëheqjes nga drejtimi i Partisë Demokratike, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për përpjekje për ta larguar nga skena politike dhe duke theksuar mbështetjen e anëtarësisë së partisë.

