Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur vendimin për 17 të pandehur të akuzuar për kultivimin e rreth 1.8 tonëve kanabis në sera në fshatin Drenovicë, në rrethin e Beratit.
Dy personat e konsideruar si drejtues të grupit, Sadetin Hasaj dhe Blerim Xheka, u dënuan me nga 8 vjet e 8 muaj burg secili, pas përfitimit të uljes së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Me nga 6 vjet e 8 muaj burg u dënuan edhe disa nga bashkëpunëtorët e tyre, mes tyre Sidrit Bisha, Suad Smakaj, Jurgen Ujkaj, Samoel Lushaj, Endriol Xheka, Mirvaldo Disha dhe Hamdi Dyli.
Ndërkohë, pjesa tjetër e të pandehurve, përfshirë Arben Vrapin, Adiol Çiflikun, Lulzim Bushatajn, Mustaf Manej, Bashkim Mema dhe Edison Mema, u dënuan secili me nga 5 vjet e 4 muaj burg.
Gjykata shpalli fajtore edhe Drita Mema dhe Izmire Mema për kultivim të bimëve narkotike në bashkëpunim të thjeshtë, duke i dënuar me nga 4 vjet burg. Megjithatë, ekzekutimi i dënimit u pezullua dhe ato u vendosën në shërbim prove për një periudhë trevjeçare.
Të dyja u shpallën të pafajshme për akuzën e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal dhe ndaj tyre u shuan edhe masat e sigurisë.
Vendimi i GJKKO-së vjen pas hetimeve mbi një prej rasteve më të mëdha të kultivimit të kanabisit në zonën e Beratit gjatë viteve të fundit.

