Bizhuteri me vlerë prej disa milionë eurosh janë vjedhur nga muzeu i shtëpisë franceze të kristaleve dhe bizhuterive luksoze Lalique, në Wingen-sur-Moder, në verilindje të Francës.
Sipas një burimi të cituar nga AFP, autorët e grabitjes hynë me forcë në muze rreth orës 05:30 të mëngjesit të së dielës dhe u drejtuan menjëherë drejt sallës ku ekspozoheshin bizhuteritë.
“Rreth 20 bizhuteri u vodhën. Dëmi është ende duke u vlerësuar, por mund të arrijë në disa milionë euro, ndoshta afër 4 milionë eurove”, deklaroi një burim pranë hetimit.
Pas ngjarjes, drejtuesit e muzeut njoftuan se institucioni do të qëndrojë i mbyllur për disa ditë.
Sipas autoriteteve, sistemi i alarmit u aktivizua menjëherë pas hyrjes së autorëve, por përpara se kompania e sigurisë të përfundonte kontrollin, një punonjës pastrimi mbërriti në vendngjarje dhe njoftoi policinë.
Policia franceze po analizon pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur rrethanat e grabitjes.
Muzeu Lalique, i dedikuar mjeshtrit të njohur René Lalique dhe stilit Art Nouveau dhe Art Deco, u hap në vitin 2011 pranë fabrikës historike të kompanisë dhe konsiderohet një prej qendrave më të rëndësishme të ekspozimit të artit dekorativ francez.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te çështja e sigurisë së institucioneve muzeale në Francë, ndërsa hetimet për identifikimin e autorëve vijojnë.

