Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi në një intervistë për Fox News se disa fshatra të krishtera në Libanin jugor kanë kërkuar të aneksohen nga Izraeli, duke pretenduar se banorët e tyre kërkojnë mbrojtje nga grupi i armatosur Hezbollah.
“Në disa fshatra të krishtera në Liban, disa madje kanë kërkuar të aneksohen Izraelit, sepse ne i mbrojmë ata nga fanatikët e Hezbollahut që duan t’i shfarosin. Dhe ne bëjmë të njëjtën gjë me të krishterët kudo,” deklaroi Netanyahu gjatë emisionit “The Sunday Briefing” në Fox News.
Kryeministri izraelit nuk dha detaje të mëtejshme mbi identitetin e këtyre fshatrave apo nëse ekzistojnë kërkesa zyrtare për një aneksim të tillë.
Izraeli aktualisht mban kontroll mbi disa zona në Libanin jugor pranë kufirit, një rajon që prej dekadash është shoqëruar me tensione të vazhdueshme dhe përplasje mes forcave izraelite dhe Hezbollahut.
Deklaratat e Netanyahut vijnë në një kohë kur situata e sigurisë përgjatë kufirit Izrael-Liban mbetet e brishtë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon të bëjë thirrje për uljen e tensioneve në rajon.

