Këngëtarja e njohur Madonna ka folur hapur për krizën e rëndë shëndetësore që përjetoi në vitin 2023, kur u prek nga një infeksion bakterial që çoi në sepsë dhe e detyroi të shtrohej në kujdes intensiv.
Ajo tregon se gjendja e saj u përkeqësua deri në atë pikë sa u intubua dhe u vendos në koma të induktuar për dy ditë, për shkak të komplikacioneve serioze, përfshirë dështim pulmonar dhe renal. Pavarësisht situatës kritike, ajo u rikuperua dhe disa muaj më vonë u rikthye në skenë me turneun “Celebration Tour”, të cilin e përfundoi me sukses.
Në një intervistë për Vogue Italia, Madonna ndau edhe një detaj emocional nga periudha e shtrimit në spital. Ajo tregoi se fle çdo natë me një oktapod prej pelushi ngjyrë vjollcë, të cilin e quan “Octavia”, si kujtim i një infermiereje që e kishte ndihmuar gjatë trajtimit.
“Kur isha shumë e sëmurë në spital, një infermiere e mrekullueshme me emrin Olivia kujdesej për mua… më dha shumë forcë,” rrëfeu artistja.
Madonna e përshkroi përvojën si një moment “pranë vdekjes”, duke treguar se rikuperimi ka qenë i gjatë dhe i vështirë, ku edhe veprimet më të thjeshta fizike kërkonin përpjekje të madhe.
Ajo shtoi se familja e saj, veçanërisht fëmijët, luajtën rol kyç në rikthimin e saj në muzikë, ndërsa vendosmëria personale e ndihmoi të rifillonte karrierën.

