Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%, duke vlerësuar se politika aktuale monetare mbetet e përshtatshme për të garantuar kthimin e inflacionit drejt objektivit në afatin e mesëm.
Në mbledhjen e fundit, banka qendrore konstatoi se inflacioni ka shënuar rritje gjatë tremujorit të dytë të vitit, kryesisht i ndikuar nga shtrenjtimi i naftës në tregjet ndërkombëtare. Pavarësisht kësaj, ekonomia shqiptare ka vijuar të shfaqë rritje, ndërsa tregjet financiare kanë mbetur të qëndrueshme.
Sipas Guvernatorit Gent Sejko, inflacioni mesatar i çmimeve të konsumit arriti në 2.9% gjatë muajve prill-maj, nga 2.5% që ishte në tremujorin e parë të vitit.
Rritja e inflacionit është nxitur kryesisht nga çmimet e karburanteve, si dhe nga shtrenjtimi i ushqimeve të papërpunuara dhe disa shërbimeve me kosto të lartë energjie. Në të kundërt, inflacioni i qirave ka shënuar rënie gjatë kësaj periudhe, duke balancuar pjesërisht presionet mbi çmimet.

