Të moshuarit dhe kategoritë e tjera përfituese të pensionit do të marrin këtë muaj, përveç indeksimit të zakonshëm, edhe një “bonus vere” në vlerën prej 5 mijë lekësh, raportuar nga A2 CNN.
Për shumë pensionistë, kjo ndihmë shihet si lehtësim i përkohshëm përballë kostove të rritura të jetesës. “Ç’është e vërteta për ne pensionistët është një ndihmesë. Pavarësisht se po ta shtrish në harkun kohor të vitit nuk është gjë fare”, shprehet një i moshuar, duke theksuar se shpenzimet për ushqime dhe ilaçe mbeten të larta.
Me ndryshimet në buxhet, qeveria ka akorduar një fond prej 3.7 miliardë lekësh për shpërblimin e pensionistëve. Ndërkohë, disa përfitues raportojnë se kanë tërhequr tashmë bonusin, ndërsa të tjerë janë përballur me mungesë fondesh në pika të caktuara të postës.
“E mora pagesën, gjithçka ishte në rregull”, thotë një përfitues, ndërsa të tjerë shprehen më skeptikë për ndikimin real të kësaj ndihme. “Më mirë rritja mujore, e kemi më mirë për t’i menaxhuar shpenzimet”, shprehet një tjetër pensionist.
Në fund të vitit pritet të shpërndahet edhe bonusi i zakonshëm i fundvitit, ndërsa qeveria ka njoftuar se brenda korrikut do të jetë gati drafti i parë i skemës së re të pensioneve, me asistencë të Bankës Botërore. Ndryshimet finale pritet të finalizohen brenda muajit shtator.

