Me konstituimin e Kryesisë së re, pritet që ajo të miratojë edhe përfaqësuesit e Diasporës në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike dhe në Kryesinë e saj, në përputhje me ndryshimet statutore të miratuara nga Kuvendi Kombëtar i PD-së më 30 maj 2026.
Më tej, procesi i riorganizimit do të vijojë me zgjedhjen e organeve të tjera drejtuese të partisë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm, Nënkryetarët, Sekretariatin dhe departamentet përkatëse, duke synuar përmbylljen e plotë të reformimit të strukturave drejtuese.
Në këtë kuadër, theksohet se për herë të parë në historinë e PD-së, Këshilli Kombëtar do të drejtohet nga një grua, Juliana Emiri, e ardhur nga shoqëria civile dhe e përfshirë rishtazi në jetën politike të partisë.
Gjithashtu, vihet në dukje se rreth 60% e anëtarëve të zgjedhur të Kryesisë janë gra, vajza dhe të rinj nën moshën 35 vjeç, duke reflektuar një rritje të konsiderueshme të përfaqësimit të brezit të ri dhe të gjinisë femërore në strukturat drejtuese.
Në përbërjen e re të Kryesisë bie në sy mungesa e përfaqësimit nga qarku i Korçës, si në radhët e grave ashtu edhe të burrave. Sipas vëzhgimeve politike, në strukturën drejtuese nuk është përfshirë asnjë grua nga ky qark, çka shihet si një ndryshim i dukshëm krahasuar me më herët, kur figura si Eleina Qirici dhe Ledina Alolli kanë qenë pjesë e organeve drejtuese të partisë.
E para ka shërbyer më herët si anëtare e Kryesisë, ndërsa e dyta është deputete aktuale, duke përfaqësuar një profil të spikatur politik në këtë zonë.
Në të njëjtën linjë, vihet re se as figura burra nga Korça nuk janë përfshirë në garë apo në strukturat e reja drejtuese. Emra si Ivi Kaso, Bledjon Nallbati dhe Fidel Kreka nuk figurojnë në përbërjen e re të Kryesisë, ku ky i fundit rezulton të ketë marrë vetëm 19 vota në proces.
Këto zhvillime interpretohen nga disa si sinjal se përfaqësimi politik i qarkut të Korçës në strukturat qendrore të PD-së mund të jetë drejt riformatimit të thellë ose rishpërndarjes së balancave brenda partisë.

