Një kamerë e fshehtë është zbuluar rreth katër ditë më parë në afërsi të Burgut të Sigurisë së Lartë në Drenovë, e vendosur në një prej plepave përgjatë rrugës që të çon drejt institucionit penitenciar.
Burime bëjnë me dije se, pas informacioneve të siguruara nga Komisariati i Policisë Korçë, është bërë i mundur identifikimi i personave të dyshuar për vendosjen e pajisjes. Nga këqyrja e pamjeve filmike janë identifikuar vëllezërit Nikolla dhe Edison Agolli.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se kamera është vendosur për të monitoruar lëvizjet e shtetasit Brian Syzo, me qëllim organizimin e një sulmi ndaj tij në momentin kur do të shkonte për të takuar vëllain e tij, Sindi Syzo, i cili ndodhet duke vuajtur dënimin në Burgun e Drenovës për plagosje me thikë të Nikolla Agollit.
Hetuesit dyshojnë se ngjarja lidhet me motive hakmarrjeje ndaj Brian Syzos.
Rasti lidhet gjithashtu me një atentat të ndodhur pak ditë më parë në Pogradec, ku Nikolla Agolli u arrestua pas një sulmi me armë zjarri ndaj Brian Syzos. Në pranga u vu edhe David Prifti, ndërsa Edison Agolli dhe Meardi Berberi, i njohur me nofkën “Koro”, janë shpallur në kërkim.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për lokalizimin e personave të shpallur në kërkim, ndërsa po verifikon edhe rolin e kamerës së vendosur pranë burgut në planifikimin e dyshuar të sulmit.

