Maroku vazhdon të shkruajë historinë e tij në arenën ndërkombëtare, duke u ngjitur sërish mes më të mirëve pas një triumfi me shumë peshë ndaj Holandës, një fitore që këtë herë ka një shije edhe më të veçantë për shkak të mënyrës se si erdhi.
Heroi i ndeshjes, Diop, autor i golit që e çoi sfidën në shtesë dhe më pas në serinë e penalltive, e shpjegoi suksesin edhe përmes dimensionit shpirtëror të ekipit.
“Ne jemi myslimanë. Ne jemi këtu në Tokë për një kohë të shkurtër. Gjithçka ka të bëjë me Zotin. Duhet ta falënderojmë”, u shpreh ai, duke theksuar rëndësinë e besimit për skuadrën marokene.
Nga ana tjetër, Achraf Hakimi, një nga liderët e ekipit, reagoi pas suksesit duke i kujtuar skeptikët se arritjet e Marokut nuk janë rastësi.
“Shumë menduan se viti 2022 në Katar ishte thjesht një goditje fati. Ne mbetëm të përqendruar. Puna shpërblehet… do të vazhdojmë të punojmë dhe të mbetemi të përulur”, deklaroi ai.
Trajneri Mohamed Ouahbi, i konsideruar si truri i projektit të ri të Marokut, ka ndërtuar një filozofi loje të bazuar në guxim, organizim dhe identitet të qartë futbolli. Skuadra ka treguar qëndrueshmëri të lartë, duke eliminuar Holandën dhe duke marrë më parë rezultate pozitive edhe ndaj Brazilit.
Një rol të rëndësishëm në këtë rritje luan edhe struktura e re e përfaqësueses, me afrimin e lojtarëve me origjinë marokene nga kampionate të ndryshme europiane, të cilët kanë shtuar cilësinë dhe konkurrencën brenda grupit.
Në prapaskenë, projekti i futbollit maroken mbështetet edhe nga një investim i gjerë institucional, me synimin për Kupën e Botës 2030, duke e kthyer futbollin në një prioritet kombëtar.
Në fushë, gjithsesi, emri që spikat më shumë mbetet Achraf Hakimi, i cili me energjinë dhe ndikimin e tij në lojë është kthyer në simbolin e këtij Maroku që nuk njeh limite.

