Partia Socialiste ka ndërmarrë masat e para pas largimit të deputetes së grupit parlamentar Marjana Koçeku, e cila pak ditë më parë njoftoi tërheqjen nga radhët e PS-së dhe bashkimin me protestën e qytetarëve.
Pas këtij zhvillimi, Koçeku është larguar edhe nga Komiteti Parlamentar për Stabilizim-Asociimin. Lajmi u bë me dije në seancë nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, i cili njoftoi deputetët për ndryshimet në përbërjen e komisioneve parlamentare.
Sipas deklarimit të tij, me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, është kërkuar zëvendësimi i Koçekut me deputetin Erjon Malaj në Komitetin për Stabilizim-Asociimin.
“Me kërkesë të kreut të grupit të PS është kërkuar zëvendësimi i deputetëve në komisione. Në Komitetin Parlamentar për Stabilizim-Asociimin, deputetja Marjana Koçeku largohet si anëtare dhe caktohet deputeti Erjon Malaj”, deklaroi Peleshi gjatë seancës.
Gjatë të njëjtës seancë, u lexua edhe kërkesa e kreut të grupit parlamentar të opozitës Gazment Bardhi, i cili kërkoi zhvillimin e një interpelance me kryeministrin Edi Rama.
Ngjarja vjen në një moment tensionesh politike, ndërsa opozita dhe mazhoranca vijojnë përplasjet në Kuvend për çështje të ndryshme parlamentare.

