Prej rreth një muaji, mijëra qytetarë shqiptarë kanë dalë çdo ditë në protestë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në vend të një reagimi politik të drejtpërdrejtë ndaj kërkesave të tyre, kryeministri ka zgjedhur të komentojë protestën përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka përdorur një gjuhë të fortë ndaj organizatorëve dhe një pjese të pjesëmarrësve.
Në reagimin e tij, Rama i cilëson ata si “mbetje të rrezikshme socio-politike” dhe “shëmbëlltyra më e zezë e alternativave politike të 35 viteve të fundit”.
Sipas kryeministrit, duhet bërë dallimi mes qytetarëve që protestojnë për arsye reale dhe atyre që, sipas tij, keqpërdorin pakënaqësinë publike. Ai shprehet se shqetësimet e qytetarëve duhet të dëgjohen dhe të shndërrohen në “energji për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.
“Korja e mbetjeve të rrezikshme socio-politike të bulevardit dhe uji i rrjedhshëm i protestës së qytetarëve që kërkojnë të dëgjohen janë dy gjëra krejt të ndryshme… do ta kthejmë në energji për Shqipërinë 2030”, shkruan Rama në postimin e tij.
Në vijim të deklaratës, ai shton se në fund të kësaj proteste, shumica qeverisëse do të dalë më e forcuar, ndërsa protestuesit, sipas tij, do të fitojnë bashkë me vendin, ndërsa “shembëlltyra e zezë që i keqpërdori do të dështojë”.
Reagimi ka ngjallur diskutime në opinionin publik, ndërsa protestat e qytetarëve vijojnë ende në disa qytete të vendit.
Postimi i Ramës:
QYTETARËT kanë të drejtë të protestojnë pavarësisht se kush i drejton, manipulon, përdor dhe abuzon me hallet e tyre.
Korja e mbetjeve të rrezikshme socio-politike të bulevardit dhe uji i rrjedhshëm i protestës së qytetarëve që kërkojnë të dëgjohen, janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Ai ujë që buron nga halle, shqetësime, probleme reale të jetës së çdo protestuesi apo simpatizanti të protestës, duhet kthyer dhe do ta kthejmë në energji për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, duke ndarë me ta reflektimin tonë nga kjo protestë, sapo ta kemi lexuar me vëmendje e përulësi krejt mesazhin e zemërimit të tyre të sinqertë🇦🇱🫶🙏
Ndërsa korja e shpifur që ka bërë bashkë plot dështakë të zemëruar të Shqipërisë, turlilloj personazhesh që japin mend që s’i kanë dhe shfryjnë dufe e mllefe për të cilat s’ua ka fajin askush veç vetes, duhet parë e treguar pa asnjë ngurrim mu siç është:
Shembëlltyra më e zezë e alternativave politike të këtyre 35 vjetëve🤡👺👿
Por e mira më e madhe e kësaj proteste, për të cilën do të bëhen pishman edhe armiqtë e dashakeqët e Shqipërisë që qëndrojnë pas cunamit të baltës digjitale, është se në fund nga e gjithë kjo vorbull shumica qeverisëse do të dalë me vullnetin e ripërtërirë për të qenë shumë më afër me popullin🤗😍❤️
Dhe protestuesit do të fitojnë bashkë me Shqipërinë, ndërsa shembëlltyra e zezë që i keqpërdori do të dështojë e do të thërmohet në çika…

