Autoritetet italiane kanë arrestuar katër persona të dyshuar si autorë të atentatit me eksploziv ndaj gazetarit investigativ Sigfrido Ranucci.
Sipas mediave italiane, operacioni u zhvillua nga karabinierët me urdhër të Gjykatës së Romës, me kërkesë të Drejtorisë së Antimafias. Tre nga të arrestuarit janë dërguar në burg, ndërsa një tjetër është vendosur në arrest shtëpiak. Arrestimet u kryen në orët e para të mëngjesit në provincat e Napolit dhe Avellinos.
Atentati ndodhi mbrëmjen e 16 tetorit 2025 në Pomezia, pranë Romës, kur një sasi eksplozivi shpërtheu përpara portës së banesës së gazetarit. Si pasojë u shkatërruan dy automjetet e tij të parkuara dhe u dëmtua muri rrethues i pronës.
Sipas hetimeve, të dyshuarit përballen me akuza për posedim, transport dhe përdorim të lëndëve shpërthyese, kërcënim dhe dëmtim prone, me rënduesen se dyshohet se kanë vepruar në grup dhe me metoda të ngjashme me organizatat mafioze.
Prokuroria italiane dyshon se grupi ka vepruar me porosi të personave të tretë, ende të paidentifikuar, kundrejt pagesës. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu mundësinë e financimit të operacionit, sigurimin e pajisjeve të komunikimit dhe planifikimin e arratisjes së mundshme jashtë vendit.
Hetimet vijojnë për identifikimin e urdhëruesve të atentatit, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë përfshirjen e personave të tjerë në rrjetin e dyshuar kriminal.

