Këngëtari i njohur shqiptar Alban Skënderaj ka reaguar përmes një mesazhi të gjatë në rrjetet sociale, duke shprehur mbështetjen e tij për protestën qytetare që po zhvillohet në vend.
Në reagimin e tij, artisti e ka cilësuar protestën si një nga momentet më frymëzuese të 35 viteve të fundit në Shqipëri, duke theksuar se ajo ka sjellë, sipas tij, një ndërgjegjësim të rëndësishëm qytetar.
“Protesta qytetare është pa diskutim pasuri për të gjithë. Ajo vendos një standard të ri për brezat që do të vijnë. Përtej çdo debati dhe çdo zhvillimi që historia do ta gjykojë me kohën e vet, unë besoj se kjo protestë tashmë ka arritur një fitore të madhe, ka zgjuar një vetëdije qytetare që për shumë vite dukej e fjetur”, ka shkruar Skënderaj.
Ai shton se protesta buron nga qytetarët e zakonshëm dhe thekson se forca e saj qëndron te njerëzit pa interesa politike apo personale, por me, siç thotë ai, ndërgjegje dhe dashuri për vendin.
Skënderaj nënvizon gjithashtu se që nga dita e parë ka mbështetur kërkesat për transparencë, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për t’u dëgjuar, duke e konsideruar këtë si një parim themelor të një shoqërie demokratike.

