Policia e Shtetit ka ndërhyrë në një konflikt të armatosur mes dy fqinjëve në lagjen “Tre Heronjtë” në Shkodër, i cili ka përfunduar me të shtëna me armë dhe sekuestrimin e një arsenali të vogël armësh dhe eksplozivësh.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 25 qershorit, ku për motive të dobëta janë përfshirë shtetasit N. L., 63 vjeç, dhe A. F., 27 vjeç, të dy banues në të njëjtën lagje. Dyshohet se gjatë konfliktit, palët kanë qëlluar me armë zjarri për të kanosur njëri-tjetrin.
Si pasojë e të shtënave janë dëmtuar porta e një banese në pronësi të 63-vjeçarit, si dhe një automjet i parkuar në oborr.
Gjatë kontrolleve të kryera nga policia, në banesën e N. L. është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatik tip kallashnikov, që dyshohet se është përdorur në ngjarje. Ndërsa në banesën e A. F. janë sekuestruar municione luftarake dhe katër kallëpe me lëndë të dyshuar plasëse tritol.
Autoritetet bëjnë me dije se të dy personat janë arrestuar dhe materialet i janë referuar prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

