NISIN PUNIMET PËR NDËRTIMIN E BURGUT TË RI NË KUKËS, INVESTIM 6.4 MILIONË EURO PËR SISTEMIN PENITENCIAR

NISIN PUNIMET PËR NDËRTIMIN E BURGUT TË RI NË KUKËS, INVESTIM 6.4 MILIONË EURO PËR SISTEMIN PENITENCIAR

Në Kukës kanë nisur punimet për ndërtimin e një Institucioni të ri të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, një projekt me vlerë rreth 6.4 milionë euro, që synon modernizimin e sistemit penitenciar në Shqipëri.

Në ceremoninë e nisjes së punimeve ishte i pranishëm ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm në kuadër të reformës në drejtësi dhe përmirësimit të kushteve në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Sipas tij, objekti i ri do të ndërtohet në territorin e ish-batalioneve ushtarake dhe do të ketë një kapacitet prej rreth 150 personash të privuar nga liria. Ai shtoi se institucioni pritet të ndihmojë edhe në akomodimin e rreth 40 shtetasve të Kosovës që vuajnë dënimin në Shqipëri, duke i afruar më pranë familjeve të tyre.

Projekti parashikon gjithashtu krijimin e rreth 140 vendeve të reja pune për komunitetin lokal, duke sjellë ndikim ekonomik në zonë.

Ministri theksoi se reforma në drejtësi nuk kufizohet vetëm te vendimet gjyqësore, por vijon edhe në mënyrën se si shteti administron ekzekutimin e dënimeve. Ai nënvizoi gjithashtu se sistemi penitenciar duhet të garantojë njëkohësisht sigurinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si një nga objektivat kryesore të reformës në këtë sektor.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *