Eurodeputetja Cristina Guarda ka njoftuar se në ditët në vijim do të udhëtojë drejt Tiranës, ku, sipas deklaratës së saj, do t’i bashkohet protestave që po zhvillohen në kryeqytet.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Guarda vlerëson protestat si paqësore dhe shprehet se mobilizimi i qytetarëve shqiptarë po jep një shembull edhe për Evropën. Ajo thekson se institucionet evropiane duhet të dëgjojnë zërin e protestuesve.
“Pas pak ditësh do të jem në Shqipëri, në shesh me ju. Falë edhe amendamentit të propozuar nga ne, ‘Të Gjelbërit’, Evropa i thotë Edi Ramës se nuk mund të autorizojë resorte ekstra luksi pa vlerësime mjedisore dhe pa ligje që respektojnë standardet evropiane. Me delegacionin e ‘Të Gjelbërve’ të Parlamentit Evropian do të vijmë për të takuar shoqërinë civile, OJQ-të dhe qytetarët. Tashmë në ditët e protestës jo të dhunshme, ju po na mësoni shumë edhe neve. Është një mobilizim i paprecedent që kërkon më shumë demokraci, transparencë dhe të drejta. Dua të jem aty me ju. Evropa duhet t’ju dëgjojë. Shihemi në shesh”, shprehet eurodeputetja.
Sipas deklaratës së saj, vizita në Shqipëri do të zhvillohet së bashku me një delegacion të grupit të “Të Gjelbërve” në Parlamentin Evropian, i cili parashikon takime me përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave joqeveritare dhe qytetarëve.

