GODITET SKEMA E MASHTRIMIT ME CALL CENTER NË TIRANË, 7 PERSONA NË PRANGA DHE 27 TË PROCEDUAR

GODITET SKEMA E MASHTRIMIT ME CALL CENTER NË TIRANË, 7 PERSONA NË PRANGA DHE 27 TË PROCEDUAR

Policia e Tiranës ka goditur një aktivitet të dyshuar mashtrimi përmes Call Center-ave, duke arrestuar 7 shtetas shqiptarë dhe të huaj, ndërsa 27 persona të tjerë janë proceduar penalisht.

Sipas autoriteteve, gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet ku zhvillohej aktiviteti, janë gjetur dhe sekuestruar një shumë parash në euro, e dyshuar si e përfituar nga veprimtaria e paligjshme, si dhe 70 njësi kompjuterike dhe 49 telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për realizimin e mashtrimeve.

Në pranga kanë përfunduar Zizo Azizi, Bjorn Kareco, Luis Masi, Jose Canda dhe Simao Samuel, së bashku me persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.

Sipas hetimeve paraprake, të arrestuarit dyshohet se kanë qenë të përfshirë në kryerjen e veprave penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Policia bëri me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin kriminal, identifikuar personat e tjerë të përfshirë dhe përcaktuar vlerën e përfitimeve të siguruara nga kjo skemë e dyshuar mashtrimi.

Njoftimi i Policisë

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “End Point”, në vijim të punës intensive për goditjen e veprimtarive kriminale në fushat e krimit kibernetik dhe krimit ekonomik.

Operacioni, nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik dhe Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Vihen në pranga 7 shtetas (shqiptarë, paraguajan dhe angolezë) dhe procedohen penalisht 27 (ndër ta, 3 të huaj).

Sekuestrohet një sasi eurosh të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, 70 njësi kompjuterike dhe 49 celularë.

Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik dhe Drejtoria Për Hetimin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si rezultat i punës intensive për konstatimin e rasteve të përshtatjes së ambienteve të ndryshme, me pajisje kompjuterike dhe pajisje të tjera, për kryerje të mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet thirrjeve telefonike (call center), finalizuan operacionin e koduar “End Point”.

Në zbatim të vendimit nr. 4271, të datës 15.06.2026, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u kryen kontrolle në disa ambiente të dyshuara të përshtatura për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetasit Z. A., 36 vjeç, E. N., 31 vjeç, A. Sh., 28 vjeç dhe B. K., 30 vjeç (shtetas shqiptarë), shtetasi L. R. M., 41 vjeç, paraguajan, si dhe shtetasit J. I. C., 28 vjeç dhe S. L. S., 28 vjeç, angolezë, të gjithë banues në Tiranë.

Gjithashtu, u referuan materialet procedurale në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 27 shtetas (3 prej tyre, nga Brazili dhe Franca), të gjithë banues në Tiranë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas janë përfshirë në kryerjen e veprimtarive të kundërligjshme që lidhen me veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Hetimet vijojnë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe për përcaktimin e përgjegjësive ligjore përkatëse.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në luftën kundër krimit kibernetik, mashtrimeve kompjuterike dhe çdo forme të veprimtarive kriminale që cenon sigurinë ekonomike dhe interesin publik.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *