KUFIZIME PËR MJETET E RËNDA GJATË SEZONIT VEROR, POLICIA E SHTETIT PUBLIKON ORARET DHE RREGULLAT E REJA

KUFIZIME PËR MJETET E RËNDA GJATË SEZONIT VEROR, POLICIA E SHTETIT PUBLIKON ORARET DHE RREGULLAT E REJA

Policia e Shtetit ka njoftuar se gjatë sezonit veror 2026 do të zbatohen kufizime të posaçme për qarkullimin e mjeteve të rënda në të gjithë vendin, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe lehtësimin e trafikut në akset me fluks të lartë lëvizjeje.

Sipas njoftimit zyrtar, në zbatim të udhëzimit të përbashkët nr. 106, datë 14.06.2024, të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, kufizimet do të aplikohen për mjetet e transportit të mallrave me masë totale maksimale të autorizuar mbi 7.5 tonë, si dhe për kategori të tjera të përcaktuara në udhëzim.

Masat do të jenë në fuqi nga data 19 qershor deri më 15 shtator 2026 dhe do të zbatohen gjatë fundjavave dhe ditëve të festave zyrtare.

Sipas orareve të përcaktuara:

  • Të premten, kufizimi do të jetë nga ora 15:00 deri në orën 24:00;
  • Të shtunën, nga ora 07:00 deri në orën 24:00;
  • Të dielën, nga ora 07:00 deri në orën 24:00.

Ndërsa gjatë festave zyrtare, kufizimet do të nisin nga ora 15:00 e ditës pararendëse deri në orën 22:00 dhe do të vijojnë nga ora 07:00 deri në orën 24:00 të ditës së festës.

Këto masa do të zbatohen në autostrada, rrugë interurbane dhe urbane, veçanërisht në segmentet që lidhin zonat turistike dhe bregdetare, ku gjatë verës regjistrohet një fluks i shtuar automjetesh.

Nga kufizimet përjashtohen mjetet e emergjencës, automjetet e Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore, si dhe mjetet që transportojnë mallra të domosdoshme, përfshirë produktet ushqimore që prishen shpejt.

Policia e Shtetit u bën thirrje operatorëve të transportit dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë këto rregulla, duke theksuar se masat synojnë parandalimin e aksidenteve, shmangien e bllokimeve në trafik dhe garantimin e një sezoni turistik sa më të sigurt dhe të qetë për qytetarët dhe vizitorët.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *