Është ndarë nga jeta mbrëmjen e së hënës mjeku i njohur pediatër Edi Tushe. Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga klinika e tij përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ku ai përkujtohet si një profesionist i përkushtuar dhe një njeri me vlera të veçanta humane.
“Sot tavolina e tij mbeti bosh. Stetoskopi heshti. Dera nuk do të hapet më për të pritur fëmijët që e donin aq shumë. Dhe zemrat tona mbetën me një plagë që nuk do të mbyllet kurrë plotësisht. Sa shumë njerëz ke ndihmuar. Sa shumë fëmijë ke shëruar. Sa shumë prindër ke qetësuar. Sa shumë dashuri ke lënë pas”, thuhet në mesazhin prekës të kolegëve të tij.
Për dekada me radhë, dr. Tushe ka qenë pranë brezave të tërë fëmijësh dhe familjesh, duke u kthyer në një emër të besuar në fushën e pediatrisë dhe neonatologjisë. Ai njihej për profesionalizmin, përkushtimin dhe komunikimin e ngrohtë me pacientët e vegjël dhe prindërit e tyre.
Gjatë karrierës së tij, ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e shërbimit neonatologjik në Shqipëri, si dhe në formimin e mjekëve të rinj, duke shërbyer për vite me radhë edhe si pedagog.
Humbja e tij konsiderohet një goditje e madhe për komunitetin mjekësor dhe për të gjithë ata që e kanë njohur nga afër.

