Dinamika e pagave në tregun e punës në Shqipëri ka vijuar trendin rritës edhe në fillim të vitit 2026, duke reflektuar nevojën e bizneseve për të tërhequr dhe mbajtur fuqi punëtore në kushtet e mungesës së stafit.
Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2026, paga mediane mujore bruto ka arritur në 74,010 lekë, me një rritje vjetore prej 19%. Kjo nënkupton se gjysma e punonjësve në vend paguhen nën këtë nivel, ndërsa gjysma tjetër mbi të.
Pas zbritjes së detyrimeve për sigurimet shoqërore, shëndetësore dhe tatimin mbi të ardhurat, rreth 50% e të punësuarve marrin një pagë neto më të ulët se rreth 60,000 lekë në muaj.
Të dhënat tregojnë se rritja më e fortë e pagës mediane është regjistruar në tremujorin e parë të 2026, me një rritje prej 11.2% krahasuar me fundin e vitit 2025. Kjo rritje lidhet kryesisht me efektin zinxhir të rritjes së pagës minimale, e cila ka ndikuar në ngritjen e pagave në disa nivele të tregut të punës.
Ndërkohë, paga mesatare bruto ka vijuar gjithashtu rritjen, por me ritme më të moderuara, duke arritur në 90,119 lekë në tremujorin e parë të vitit 2026, me një rritje vjetore prej 9.6%. Paga mesatare mbetet rreth 18% më e lartë se paga mediane, megjithëse kjo diferencë është ngushtuar krahasuar me vitin 2025, si pasojë e rritjes më të shpejtë të pagave të ulëta dhe të mesme.
Ekspertët theksojnë se paga mediane është tregues më i saktë i nivelit real të jetesës, pasi nuk ndikohet nga pagat shumë të larta të një pakice, ndryshe nga paga mesatare.
Sipas analizave ekonomike, niveli prej rreth 60,000 lekësh neto në muaj për gjysmën e punonjësve mbetet një sfidë për fuqinë blerëse dhe konsumin familjar, veçanërisht në zonat urbane me kosto të lartë jetese si Tirana.
Për një individ që jeton i vetëm dhe paguan qira, kjo pagë shpesh mbulon vetëm nevojat bazë të jetesës, me pjesën më të madhe të të ardhurave që shkon për strehim. Në rastet kur nuk ka kosto qiraje, ajo siguron një standard më të qëndrueshëm jetese për një person të vetëm.
Analistët vlerësojnë se një pagë neto rreth 60,000 lekë mund të konsiderohet e mjaftueshme për një nivel më të qëndrueshëm jetese vetëm në rastet kur kombinohet me të ardhura të tjera në familje ose kur punëmarrësi nuk ka detyrime të larta fikse, si qiraja apo kredi.
Burimi: Monitor
