Alele Xhunior Obele është një nga emrat që ka tërhequr vëmendjen pas rikthimit të Vllaznisë në stërvitje. Sulmuesi 19-vjeçar, i afruar fillimisht për ekipin B të kuqebluve, spikati me paraqitjet e tij dhe kontribuoi në shpalljen kampione të skuadrës në Kategorinë e Tretë.
Futbollisti nga Nigeria është aktualisht pa kontratë, çka e bën një mundësi interesante në tregun e transferimeve. Për të ka shkruar së fundmi edhe media e specializuar “Africafoot”, duke evidentuar potencialin e tij dhe interesimin që ka ngjallur jashtë Shqipërisë.
Mësohet se për sulmuesin e krahut të majtë ka interes nga klube në Itali, Francë, Bullgari, Greqi dhe Katar. Pavarësisht zërave të merkatos, Obele vijon përgatitjet me Vllazninë, ndërsa skuadra po përgatitet për sfidat e turit të parë të Ligës së Konferencës.
Obele iu bashkua Vllaznisë rreth tre muaj më parë dhe në vetëm dhjetë paraqitje arriti të realizojë shtatë gola, statistika që kanë shtuar vëmendjen ndaj tij dhe mund ta kthejnë në një nga zbulimet më interesante të merkatos së verës.
