Një ditë pasi njoftoi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Greqi do të mbahen në pranverën e vitit 2027, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka nisur turin e takimeve në terren në kuadër të strategjisë politike të partisë së tij, Demokracia e Re.
Me moton “Çdo ditë ka rëndësi”, takimi i parë u zhvillua në ishullin e Rodosit, ku partia qeverisëse synon të prezantojë arritjet e saj të viteve të fundit dhe të hartojë një program të ri qeverisës me titull “Axhenda 2030”, nën drejtimin e zëvendëskryeministrit Kostis Hatzidakis.
Sipas planit të qeverisë, prioritet do t’i jepet përmirësimit të nivelit ekonomik të familjeve dhe qytetarëve të klasës së mesme, duke ruajtur njëkohësisht mbështetjen e bazës tradicionale sociale të partisë.
Mitsotakis e nisi vizitën në Rodos me takime me përfaqësues të sektorit të turizmit dhe qytetarë të zonës, si pjesë e strategjisë së tij të vazhdueshme për mobilizim kombëtar dhe komunikim të drejtpërdrejtë me shoqërinë.
Ndërkohë, një tjetër vizitë është planifikuar për të martën e ardhshme në Atikën Perëndimore, ku pritet të nënshkruhet kontrata për kryqëzimin në Skaramangas, një projekt infrastrukturor që konsiderohet me rëndësi të veçantë për zhvillimin e zonës.
Mediat greke theksojnë se këto vizita nuk kanë karakter thjesht simbolik, por janë pjesë e një strategjie më të gjerë politike që ndërthur praninë e kryeministrit në terren me promovimin e projekteve dhe arritjeve të qeverisë, në prag të përgatitjeve për sfidën zgjedhore të vitit 2027.
