DETAJE TË REJA PËR ZHDUKJEN E EGLANT KOÇIT, DYSHOHET SE AUTOMJETI U TRANSPORTUA ME KARROTREC DREJT IBËS

DETAJE TË REJA PËR ZHDUKJEN E EGLANT KOÇIT, DYSHOHET SE AUTOMJETI U TRANSPORTUA ME KARROTREC DREJT IBËS

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, ndërsa hetimet janë përqendruar te miku i tij i ngushtë, Armand Shakaj, i cili është shpallur në kërkim nga policia si autor i dyshuar i ngjarjes.

Sipas burimeve hetimore, Shakaj dyshohet se ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij drejt zonës së Ibës, me qëllim shmangien e kontrolleve rutinë të policisë. Hetuesit dyshojnë se brenda mjetit mund të ketë qenë edhe trupi i pajetë i 34-vjeçarit.

Ky veprim mendohet të jetë kryer më 6 qershor. Nga verifikimet e kamerave të sigurisë rezulton se trupi i Koçit dyshohet të jetë mbajtur në automjet për rreth një ditë e gjysmë, pasi kontaktet e fundit që ai pati me familjarët datojnë më 4 qershor.

Policia ka identifikuar dhe marrë në pyetje drejtuesin e karrotrecit. Sipas dëshmisë së tij, ai e ka transportuar automjetin pranë një servisi në zonën e Ibës, pasi Shakaj i kishte thënë se makina kishte pësuar defekt. Dëshmitari ka deklaruar se nuk kishte dijeni për përmbajtjen e mjetit dhe se, pasi e kishte dorëzuar atë, ishte larguar nga vendi.

Ndërkohë, në ambientet e zyrës ku dyshohet se është mbajtur Eglant Koçi, grupi hetimor ka gjetur mbetje baruti. Megjithatë, autoritetet janë në pritje të përgjigjeve të ekspertizës për të përcaktuar nëse këto gjurmë kanë lidhje me fatin e 34-vjeçarit.

Prej disa ditësh, kërkimet janë përqendruar në dy drejtime kryesore: gjetjen e trupit të Eglant Koçit në zonat përreth Tiranë, Elbasan dhe Librazhd, si dhe lokalizimin dhe arrestimin e Armand Shakajt.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se 41-vjeçari dyshohet të ketë ndryshuar gjashtë numra telefoni celular gjatë ditëve të fundit, në një përpjekje për të shmangur gjurmimin nga autoritetet.

Policia vijon hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, ndërsa kujton se Armand Shakaj konsiderohet i dyshuar dhe përfiton nga prezumimi i pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *