Një ngjarje e rëndë është shënuar në zonën e Ujit të Ftohtë, pranë Lungomares në Vlorë, ku një 27-vjeçare ka humbur jetën pas plagëve të rënda të marra mbrëmjen e djeshme.
Sipas burimeve mjekësore, e reja, nënë e dy fëmijëve dhe e identifikuar me inicialet A.B., ishte transportuar në gjendje kritike drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Dyshohet se 27-vjeçarja ka rënë nga kati i gjashtë i banesës ku jetonte, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta. Autoritetet po hetojnë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një aksident apo rrethana të tjera që çuan në këtë ngjarje tragjike.
Policia e Vlorës ka nisur hetimet dhe po mbledh dëshmi e prova nga vendngjarja për të zbardhur plotësisht dinamikën e rastit.
