MALAJ/ PENSIONET MUND TË INDEKSOHEN QË NË VERË. PO REFLEKTON QEVERIA?

MALAJ/ PENSIONET MUND TË INDEKSOHEN QË NË VERË. PO REFLEKTON QEVERIA?

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka bërë të ditur se qeveria po shqyrton mundësinë që procesi i indeksimit të pensioneve të kryhet më herët se afati tradicional i 1 tetorit, duke e afruar atë në muajt qershor ose korrik.

Gjatë konferencës së përmuajshme për mediat, Malaj deklaroi se çështja po diskutohet me Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ndërsa theksoi se janë krijuar hapësirat e nevojshme buxhetore për të mundësuar këtë proces.

“Indeksimi i pensioneve është një çështje që jemi duke e diskutuar me Institutin e Sigurimeve Shoqërore edhe për shkak të realizimit të të ardhurave. Kemi krijuar hapësirat e nevojshme buxhetore për të krijuar mundësinë që të afrohet procesi i indeksimit në muajt qershor apo korrik”, tha Malaj.

Ministri u ndal edhe te ecuria e Skemës Kombëtare në Bujqësi dhe Blegtori, duke bërë të ditur se vlera potenciale e kompensimit për fermerët përmes rimbursimit të TVSH-së vlerësohet në rreth 6.5 milionë euro.

“Kjo shumë përfaqëson një përllogaritje të kostos që do të nevojitet për të mbështetur fermerët përfitues të skemës, në varësi të numrit të tyre dhe masës së kompensimit që do të përcaktohet”, u shpreh ai.

Ndërkohë, dy muaj pas nisjes së procesit të rivlerësimit të pronave me normën 5 për qind, në buxhetin e shtetit janë arkëtuar rreth 3.9 miliardë lekë. Sipas Malajt, puna vijon për përcaktimin e referencave të reja të çmimeve në 60 bashkitë e vendit, përveç Tiranës.

“Ky proces nuk e pengon rivlerësimin. Qytetarët që dëshirojnë të bëjnë rivlerësimin sipas çmimeve të tregut mund ta realizojnë atë përmes vlerësuesve privatë”, sqaroi ministri.

Sa i përket inflacionit, Malaj theksoi se Shqipëria vazhdon të ketë një nga normat më të ulëta në rajon dhe nën mesataren e Bashkimit Europian, duke e konsideruar këtë një tregues të stabilitetit makroekonomik dhe të ruajtjes së fuqisë blerëse të qytetarëve.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *