Ngushtica strategjike e Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për lundrimin ndërkombëtar, por me rregulla dhe kushte të reja që do të përcaktohen nga Irani dhe Omani. Këtë e bëri të ditur ambasadori iranian në Rusi, Kazem Jalali.
Sipas Jalalit, autoritetet iraniane dhe omane po shqyrtojnë vendosjen e tarifave të tranzitit për anijet që kalojnë në këtë korridor jetik për tregtinë globale të energjisë, duke argumentuar se të dy vendet ofrojnë shërbime të sigurisë dhe administrimit të trafikut detar.
“Sigurisht, kjo ngushticë do të jetë e hapur, por sipas kushteve të reja që do të përcaktohen nga autoritetet iraniane dhe omane”, deklaroi Jalali për gazetën ruse Izvestia.
Deklarata vjen në një periudhë tensionesh të larta në rajon, ku konflikti i vazhdueshëm ka ndikuar ndjeshëm në qarkullimin detar përmes Ngushticës së Hormuzit. Kjo rrugë strategjike konsiderohet një nga arteriet më të rëndësishme të ekonomisë globale, pasi në kushte normale përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe produkte energjetike.
Megjithëse ambasadori iranian nuk dha detaje konkrete mbi nivelin e tarifave apo afatet e zbatimit të tyre, deklarata ka ngjallur shqetësime në tregjet ndërkombëtare. Ekspertët vlerësojnë se çdo kosto shtesë ose kufizim në këtë korridor mund të reflektohet drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të naftës dhe të gazit natyror të lëngshëm në tregjet globale.
Ndërkohë, lufta në rajon ka reduktuar ndjeshëm lëvizjen e cisternave të naftës nëpër Hormuz. Edhe pse një pjesë e anijeve kanë vijuar tranzitin gjatë javëve të fundit, volumi i eksporteve energjetike mbetet dukshëm më i ulët krahasuar me nivelet normale, duke shtuar pasigurinë për furnizimin global me energji.
