Kandidatja e Lidhja Demokratike e Kosovës për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye për të kundërshtuar kandidaturën e saj për një mandat të dytë në krye të shtetit.
Në një konferencë për media, përkrah kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Osmani u ndal te rezultatet e zgjedhjeve, duke i cilësuar ato si hapin e parë drejt ringritjes së partisë.
“Na jep shpresë se jemi në rrugë të drejtë. E më shumë punë në terren dhe afër qytetarëve besoj se LDK-ja do të vazhdojë të ringritet në muajt dhe vitet në vijim”, deklaroi Osmani.
Ajo theksoi se procesi i rikthimit të LDK-së sapo ka nisur dhe se partia ka potencial për të forcuar më tej pozitat e saj në skenën politike të Kosovës.
“Koha e ringritjes vetëm ka filluar. S’ka asgjë që e ndal”, u shpreh ajo.
Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, LDK-ja është renditur si forca e tretë politike në vend me rreth 18 për qind të votave. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë në nivel kombëtar me mbi 43 për qind të votave të numëruara.
Deklarata e Osmanit vjen në një moment kur kanë nisur diskutimet për zhvillimet e ardhshme politike dhe për procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës në vitet në vijim.
