Deklaratat e presidentit të Real Madrid, Florentino Pérez, gjatë fushatës elektorale kanë ndezur menjëherë spekulimet në merkato. Perez zbuloi se ishte gati të paraqiste një ofertë rekord prej 150 milionë eurosh për një futbollist që aktivizohet në Ligën e Kampionëve, pa bërë publik emrin e lojtarit apo klubin e tij.
Sipas mediave sportive, lojtari në fjalë është Michael Olise, një nga yjet e Bayern Munich. Megjithatë, reagimi nga kampi bavarez ka qenë i menjëhershëm dhe i prerë.
Presidenti i Bayern, Herbert Hainer, ka bërë të qartë se klubi gjerman nuk ka ndërmend të heqë dorë nga Olise, pavarësisht interesimit të mundshëm të madrilenëve.
“Nëse Florentino Perez dëshiron të paraqesë një ofertë për Olise, gjë që nuk e ka bërë deri tani, mund të kursehet, nuk është e nevojshme. Michael Olise është një lojtar i Bayern Munich, është nën kontratë për një periudhë të gjatë. Ne nuk jemi një klub që shet lojtarët”, u shpreh Hainer për BILD.
Me këtë deklaratë, Bayern Munich ka dhënë një sinjal të qartë se e konsideron Olise një pjesë të rëndësishme të projektit të tij sportiv dhe nuk është i gatshëm të negociojë largimin e tij, edhe përballë një oferte rekord nga Real Madrid.
