Bordi i Transparencës ka publikuar këtë të enjte çmimet e reja tavan të karburanteve në vend, të cilat kanë hyrë në fuqi më 4 qershor në orën 15:30 dhe do të mbeten të vlefshme deri në vendimin e radhës të bordit.
Sipas njoftimit zyrtar, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 është përcaktuar në 195 lekë për litër, ndërsa çmimi me shumicë në 183 lekë për litër.
Ndërkohë, për benzinën e standardit SSH EN, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 175 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë në 163 lekë për litër.
Autoritetet paralajmërojnë se çdo operator që nuk zbaton çmimet e përcaktuara do të përballet me masa administrative, deri në pezullimin e aktivitetit.
Në sqarimin shoqërues, Bordi thekson se çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026. Për pasojë, për karburantet do të vazhdojë të zbatohet niveli i plotë i akcizës, në masën 100%, pasi mekanizmi i reduktimit në 80% aktivizohet vetëm kur çmimi i gazoilit tejkalon 220 lekë/litër ose ai i benzinës 200 lekë/litër.
Gjithashtu, është bërë publik edhe çmimi i gazoilit për peshkim, i cili, bazuar në përjashtimet fiskale të parashikuara në legjislacionin shqiptar për taksën e qarkullimit, taksën e karbonit dhe akcizën, është përcaktuar në 100 lekë për litër.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaron se monitorimi i tregut do të vijojë me synimin për të mbrojtur interesat e konsumatorëve dhe për të garantuar konkurrencë të ndershme në sektorin e karburanteve.
