Janë publikuar fotot e ngjarjes së rëndë të ndodhur në zonën e Maliqit, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën një efektiv dhe u plagos një tjetër, ndërsa autori i dyshuar është arrestuar.
Sipas informacionit zyrtar të Policisë së Shtetit, rreth orës 07:30, shërbimet e forcave “Shqiponja” kanë rrethuar një stan në zonën malore ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç.
Policia i ka bërë thirrje për t’u dorëzuar, por gjatë ndërhyrjes dyshohet se ai ka hapur zjarr ndaj efektivëve, duke shkaktuar vdekjen e punonjësit të policisë Enea Mekolli dhe plagosjen e kolegut të tij Edison Adri.
Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet, Braçellari rezulton i dënuar në vitin 2017 me rreth 9 vite e 11 muaj burg për veprën penale “prodhim dhe shitje narkotikësh”, ndërsa më herët ndaj tij është caktuar edhe masa e sigurisë “arrest në burg” për “kultivim të bimëve narkotike”.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa grupi hetimor po punon për të dokumentuar plotësisht rrethanat e operacionit dhe dinamikën e shkëmbimit të zjarrit.
