Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në zonën e Lozhanit, në Bashkinë e Maliqit, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën një efektiv i Policisë së Shtetit dhe u plagos një tjetër.
Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar i ngjarjes është Violand Bracellari, një ish-ushtarak, i cili prej vitesh rezultonte person në kërkim nga autoritetet. Mësohet se efektivët e përfshirë në operacion ishin pjesë e forcave “Shqiponja”.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur një grup policor u nis drejt fshatit malor Bodë, në njësinë administrative Lozhan, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e një personi të konsideruar me rrezikshmëri të lartë.
Sipas burimeve, gjatë afrimit të efektivëve pranë zonës ku qëndronte i kërkuari, ai ka konstatuar lëvizjet e policisë dhe ka hapur zjarr me armë. Raportohet se pranë vendqëndrimit të tij ndodhej edhe një stan i madh qensh, i përdorur për të vështirësuar afrimin e personave të paautorizuar.
Si pasojë e të shtënave, një efektiv policie humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa një koleg i tij mbeti i plagosur dhe po merr trajtim mjekësor.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se Bracellari konsiderohet një person me rrezikshmëri të lartë dhe i njohur në zonën e Maliqit për përfshirje të dyshuara në ngjarje të mëparshme kriminale. Ndërkohë, autori i dyshuar është arrestuar dhe ndodhet nën mbikëqyrje mjekësore, pasi ka mbetur i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të sqaruar të gjitha rrethanat që çuan në këtë përplasje fatale.
