Protestuesit e tubimit të zhvilluar dje para Kryeministrisë vijuan marshimin e tyre edhe pas shpërndarjes nga bulevardi kryesor i kryeqytetit.
Një grup prej tyre u ndal përpara selisë së Partisë Demokratike, ku kanë shprehur pakënaqësinë dhe kritikat edhe ndaj forcës më të madhe opozitare në vend.
Gjatë qëndrimit para selisë blu, protestuesit kanë artikuluar thirrje të tilla si “Opozitë e shitur”, duke adresuar akuza ndaj drejtuesve të opozitës për mënyrën se si po përfaqësojnë interesat e qytetarëve.
Më herët, protestuesit patën lëvizur në disa rrugë të kryeqytetit, duke shprehur pakënaqësitë e tyre për çështje të ndryshme politike dhe sociale. Situata është zhvilluar pa incidente të raportuara, ndërsa forcat e policisë kanë monitoruar nga afër lëvizjet e protestuesve.
