Rexhep Meta, babai i ish-Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare.
Ceremonia mortore do të zhvillohet këtë të martë, më 2 qershor, në fshatin Çepan të Skraparit, ku familjarë, të afërm, miq dhe bashkëqytetarë do t’i japin lamtumirën e fundit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, ka organizuar shoqërimin e Ilir Metës nga paraburgimi për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të të atit. Ish-presidenti pritet të transportohet drejt Çepanit nën masa të posaçme sigurie.
Sipas informacioneve, ceremonia mortore do të zhvillohet në orën 12:00. Pjesëmarrja e Metës në këtë ceremoni është mundësuar në përputhje me procedurat ligjore që parashikojnë shoqërimin e personave në paraburgim për raste të veçanta familjare.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa sot do të jetë pranë familjes për t’i dhënë lamtumirën e fundit të atit, Rexhep Meta.
