Është zhvilluar dje në Tiranë një protestë që zgjati për më shumë se dy orë kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura. Qytetarë të shumtë u mblodhën për të kundërshtuar projektin dhe për të kërkuar anulimin e tij, duke e cilësuar atë si të dëmshëm për mjedisin dhe interesin publik.
Protesta nisi fillimisht përpara Ministrisë së Brendshme, ndërsa më pas protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, ku vijuan tubimin dhe thirrjet kundër projektit. Gjatë protestës u dëgjuan slogane si: “Shqipëria nuk shitet” dhe “Anuloni projektin”, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan transparencë dhe rishikim të vendimmarrjeve që lidhen me zhvillimet në zonat e mbrojtura.
Në tubim nuk munguan as mesazhet politike. Një pjesë e protestuesve artikuluan thirrje kritike ndaj drejtuesve kryesorë të mazhorancës dhe opozitës, duke brohoritur “Burg për të dy”, në referencë ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Organizatorët njoftuan se protesta do të vijojë edhe ditën e sotme, në orën 18:00, duke ftuar qytetarët t’u bashkohen kërkesave për mbrojtjen e zonave natyrore dhe anulimin e projektit të kundërshtuar.
