Egnatia është shpallur kampione e Shqipërisë, pasi mposhti Dinamo City me rezultatin 2-0 në finalen e “Final Four”, duke siguruar titullin e kampionit për sezonin 2025-2026.
Skuadra rrogozhinase konfirmoi edhe një herë dominimin e saj në futbollin shqiptar, duke zhvilluar një paraqitje bindëse dhe duke merituar plotësisht fitoren në ndeshjen vendimtare. Egnatia kontrolloi sfidën dhe arriti të konkretizojë epërsinë e saj, duke mos i lënë hapësira kundërshtarit për të reaguar.
Menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare në Elbasan Arena, festa shpërtheu në fushë. Futbollistët, stafi teknik dhe drejtuesit e klubit festuan së bashku suksesin e madh, ndërsa tifozët shijuan një tjetër moment historik për ekipin e tyre.
Kulmi i mbrëmjes erdhi me ceremoninë e dorëzimit të trofeut të Superiores, teksa kapiteni dhe lojtarët e Egnatias ngritën lart kupën mes ovacioneve dhe atmosferës festive.
Për klubin nga Rrogozhina, ky është titulli i tretë radhazi kampion, një arritje që konfirmon Egnatian si forcën dominuese të futbollit shqiptar në vitet e fundit. Suksesi i radhës vulos një sezon të shkëlqyer dhe e vendos skuadrën mes ekipeve më të suksesshme të historisë së afërt të kampionatit shqiptar.
