Kompanitë e tregtimit të naftës kanë paralajmëruar se do të padisin qeverinë dhe do të kërkojnë dëmshpërblim, duke pretenduar se çmimi i karburanteve është llogaritur nën kosto.
Sipas tyre, që prej 26 marsit qeveria ka riaktivizuar Bordin e Transparencës për Hidrokarburet, i cili përcakton çmimet mbi bazën e një formule të miratuar gjatë krizës së vitit 2022, kur çmimet e naftës u rritën pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Nga fundi i marsit deri më 28 maj, Bordi ka ndërhyrë rreth 30 herë në treg, në disa raste edhe për disa ditë radhazi.
Operatorët e tregut ankohen se përllogaritja e çmimit bazohet në treguesin FOB (Free on Board), i cili nuk përfshin transportin dhe sigurimin, ndërsa aktualisht kontratat ndërkombëtare funksionojnë kryesisht mbi bazën CIF (Cost, Insurance and Freight), që i rrit kostot e blerjes me rreth 45-50 dollarë për ton.
Ndërkohë, sipas tyre, doganat kanë llogaritur TVSH-në mbi bazën e çmimit CIF, ndërsa Bordi mbi FOB, duke krijuar një diferencë që sipas operatorëve arrin rreth 4.7 lekë për litër dhe që ka sjellë humbje për importuesit e karburanteve.
