Është ndarë nga jeta Neki Dredha, ish-kryetar i Bashkisë së Vlorës në vitet 1998–2000 dhe një nga figurat e njohura të jetës publike e shëndetësore të qytetit.
Mjek me profesion, Dredha shërbeu për vite me radhë në Vlorë, duke fituar respektin e qytetarëve dhe kolegëve si një nga emrat më të vlerësuar të shëndetësisë në qytet. Krahas kontributit në mjekësi, ai pati edhe një angazhim aktiv në jetën publike dhe drejtoi Bashkinë e Vlorës në një periudhë të rëndësishme për qytetin.
Në vitin 2013 ai u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Vlorës”, si vlerësim për kontributin e dhënë ndër vite në shërbim të komunitetit.
Përveç karrierës si mjek dhe drejtues vendor, Dredha la gjurmë edhe në fushën e letërsisë dhe publicistikës. Ai është autor i disa veprave, ndër to edhe poema narrative Labëria Magjike, si dhe i shkrimeve memorialistike kushtuar mjekësisë dhe figurave të shquara të shëndetësisë shqiptare.
Neki Dredha ishte gjithashtu babai i Ermal Dredha. Ndarja e tij nga jeta është pritur me dhimbje në qytetin e Vlorës, ku ai kujtohet për përkushtimin si mjek, drejtues dhe autor.
