Një i burgosur 73-vjeçar ka ndërruar jetë ditën e sotme në ambientet e QSUT “Nënë Tereza”, ku ndodhej i shtruar prej disa ditësh për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Sipas njoftimit të Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, viktima është identifikuar si Agim Bualli, 73 vjeç, lindur dhe banues në Fier, i dënuar për veprën penale “vrasje me dashje”.
Ai ishte transferuar më herët në IEVP Lezhë me masë mjekimi të detyruar, ndërsa më pas është dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal të Lezhës dhe më pas në QSUT për trajtim më të specializuar, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Sipas informacionit paraprak mjekësor, dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë arresti kardiak, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se rasti po ndiqet sipas procedurave përkatëse.
