Shqipëri po përballet me një nga tkurrjet më të forta demografike në Europë, pavarësisht se vendi nuk ndodhet në luftë apo në krizë humanitare. Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se gjatë vitit 2024, popullsia e Shqipërisë u reduktua me 12 banorë për çdo 1,000 persona, niveli më i lartë negativ i migrimit neto në rajon.
Sipas shifrave, vetëm gjatë vitit të kaluar vendi ka humbur rreth 29 mijë banorë si pasojë e emigrimit. Në të njëjtën kohë, mesatarja e Bashkimi Europian rezulton pozitive, me rreth +5.2 banorë për çdo 1,000 persona, çka tregon se vendet europiane po shtojnë popullsinë dhe kapitalin njerëzor, ndërsa Shqipëria vijon të humbasë forcën e saj punëtore.
Edhe krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria paraqitet në situatën më kritike. Ndërsa shtete si Serbi kanë ruajtur një stabilitet më të madh në raport me migrimin, vendi ynë po përjeton një kombinim të rrezikshëm të emigrimit masiv dhe rënies së lindshmërisë.
Ekspertët paralajmërojnë se vendi po hyn në një udhëkryq demografik, pasi largimi i të rinjve po përshpejton plakjen e popullsisë dhe tkurrjen e tregut të punës. Në Europë, migrimi pozitiv po përdoret për të kompensuar plakjen, ndërsa në Shqipëri po ndodh e kundërta.
Ndërkohë, vende të Europës Lindore si Poloni, Hungari, Estoni dhe Lituani kanë arritur të ndryshojnë trendin e emigrimit përmes politikave ekonomike dhe sociale. Estonia dhe Lituania, që dikur kishin nivele të ngjashme emigrimi me Shqipërinë, sot regjistrojnë migrim neto pozitiv, falë investimeve në digjitalizim dhe rikthimit të profesionistëve.
Ndryshime të rëndësishme kanë ndodhur edhe në Poloni dhe Hungari, vende që rritën pagat dhe aplikuan politika mbështetëse për familjet e reja, duke frenuar largimin e qytetarëve dhe duke tërhequr fuqi punëtore.
Ekspertët vlerësojnë se Shqipëria duhet të ndjekë modelet e vendeve të Europës Lindore, pasi emigrimi mund të frenohet vetëm duke krijuar më shumë mundësi ekonomike, paga konkurruese dhe kushte më të mira jetese për të rinjtë.
Burimi: Monitor
