Kosovë ka nisur procesin e votimit për qytetarët që jetojnë jashtë vendit, pasi mbi 105 mijë persona janë regjistruar paraprakisht për të marrë pjesë në zgjedhje përmes postës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka përfunduar përgatitjet për shpërndarjen e materialeve zgjedhore, ndërsa pjesa më e madhe e votuesve të diasporës ndodhen në vendet evropiane.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se janë përgatitur rreth 75 mijë pako me materialet zgjedhore, të cilat kanë nisur të shpërndahen nga data 21 maj.
Ndërkohë, afro 30 mijë pako të tjera pritet të transportohen jashtë Kosovës gjatë ditëve në vijim.
Çdo pako përmban fletëvotimin, udhëzimet për votim, zarfin e fshehtësisë dhe zarfin kthyes. Sipas KQZ-së, secila dërgesë është pajisur edhe me kod gjurmimi, për t’u mundësuar votuesve të ndjekin në kohë reale vendndodhjen e pakos së tyre.
Afati për votimin me postë do të jetë i hapur deri më 6 qershor, ndërsa autoritetet zgjedhore u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos vonojnë kthimin e fletëvotimeve, në mënyrë që ato të mbërrijnë në kohë për procesin e numërimit.
Procesi i votimit të diasporës po zhvillohet në 22 shtete të botës, përfshirë Gjermani, Zvicër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Itali, Francë dhe Mbretëria e Bashkuar.
