PROJEKTLIGJ I RI PËR POLICINË E SHTETIT/ PS PROPOZON HEQJEN E GARËS PËR POSTET DREJTUESE, NDRYSHIME EDHE PËR GRADAT E MANDATET

PROJEKTLIGJ I RI PËR POLICINË E SHTETIT/ PS PROPOZON HEQJEN E GARËS PËR POSTET DREJTUESE, NDRYSHIME EDHE PËR GRADAT E MANDATET

Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Rexha, ka depozituar në Kuvend një projektligj të ri për Policinë e Shtetit, i cili parashikon ndryshime të rëndësishme në emërimet, gradat dhe karrierën e efektivëve të policisë.

Një nga ndryshimet kryesore të propozuara është heqja e garës për shumicën e posteve drejtuese në polici, me përjashtim të gradës “drejtues madhor”, gradë që mbahet vetëm nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Sipas deputetit socialist, procedurat aktuale të konkurrimit janë të gjata dhe burokratike, duke penguar funksionimin normal të strukturave policore.

Projektligji parashikon gjithashtu që një ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, pas largimit nga detyra, të mos dalë automatikisht nga sistemi, por të vijojë karrierën në radhët e Policisë së Shtetit me gradën “drejtues i parë”. Ai mund të angazhohet në role këshillimore apo si pedagog në Akademinë e Sigurisë.

Ndryshime propozohen edhe në sistemin e gradave. Konkretisht, afati për kalimin nga grada “komisar” në “kryekomisar” dhe nga “kryekomisar” në “drejtues” propozohet të ulet nga 5 në 4 vite. Argumenti i socialistëve është se efektivët që japin rezultate nuk duhet të pengohen nga procedurat formale dhe pritjet e gjata.

Një tjetër pikë e projektligjit i jep Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë të drejtën për të dhënë ngritje në gradë edhe përpara afatit, në raste të veçanta, për efektivë që dallohen për akte heroike apo rezultate të larta në luftën kundër kriminalitetit.

Po ashtu, projektligji parashikon që mandati i drejtuesit të departamentit të ulet nga 4 në 3 vite, me mundësi rikandidimi për një mandat të dytë. Emërimi i drejtorëve të departamenteve do të propozohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe do të miratohet nga ministri i Brendshëm.

Sa i përket drejtimit të komisariateve, në draft përcaktohet qartë se posti i shefit të komisariatit mund të mbahet vetëm nga efektivë me gradën “komisar” ose “kryekomisar”.

Ndryshimet e propozuara pritet të shqyrtohen fillimisht në komisionet parlamentare dhe më pas të kalojnë për votim në Kuvend.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *