“Tangoja” e Radhës në Kurriz të Demokracisë! Pse Kombinimi i Reformës Territoriale me atë Zgjedhore po Shitet për Interesa Ditore?

“Tangoja” e Radhës në Kurriz të Demokracisë! Pse Kombinimi i Reformës Territoriale me atë Zgjedhore po Shitet për Interesa Ditore?

EDITORIAL / ANALIZË

“TANGOJA” E RADHËS NË KURRIZ TË DEMOKRACISË

Pse kombinimi i reformës territoriale me atë zgjedhore po shitet për interesa ditore

Në skenën politike shqiptare, metaforat e “tangos” dhe marrëveshjeve të prapaskenave nuk janë thjesht retorikë; ato janë paralajmërime për dështime të radhës. Kur Damian Gjiknuri i referohej dikur komisionit të reformës zgjedhore si një “tango” dyshe, ai pa dashje përshkroi sëmundjen kronike të tranzicionit tonë: pazarin politik që zëvendëson interesin publik.Sot, Shqipëria ndodhet përpara një udhëkryqi ku reforma administrativo-territoriale dhe ajo zgjedhore duhet të ecnin paralelisht si dy anë të së njëjtës medalje. Megjithatë, ajo që po shohim është një tjetër akt i të njëjtës dramë. Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha po rrëshqet në një kompromis të rrezikshëm mediatik dhe politik me Partinë Socialiste, duke braktisur kauzën jetike të ndryshimit të hartës territoriale në këmbim të favoreve të ngushta politike. Ky nuk është bashkëpunim për reformë, është një kapitulim që bëhet në kurriz të opozitës dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë. Kurthi i 2014-ës dhe Naiviteti i Përsëritur i Opozitës! Për to kuptuar gabimin aktual, duhet të kujtojmë se reforma administrativo-territoriale e vitit 2014 u shit publikisht si një nevojë për eficiencë, ulje kostosh dhe përmirësim të shërbimeve vendore. Në praktikë, ajo rezultoi në një “gerrymandering” të pastër elektoral!

Centralizim i egër

Shkrirja e shumë komunave dhe njësive administrative pa një konsultim real me komunitetet lokale dobësoi përfaqësimn qytetar dhe largoi vendimmarrjen nga banorët. Zona të tëra rurale humbën zërin politik dhe aksesin ndaj institucioneve.

Asimetri elektorale

Kufijtë administrativë ndikojnë drejtpërdrejt në organizimin elektoral, në peshën e votës dhe në balancën politike të qarqeve e bashkive. Në shumë raste, bashkimi i zonave me profile të ndryshme politike krijoi konfigurime të favorshme elektorale për mazhorancën, duke cënuar parimin e barazisë së përfaqësimit.Çdo ndryshim territorial prodhon automatikisht pasoja politike dhe elektorale. Ndaj trajtimi i tyre si reforma të ndara ka qenë dhe mbetet një nga gabimet më të mëdha që i ka prodhuar kosto politike opozitës, të cilat për çudi nuk po arrin t’i evidentojë dhe t’i korrigjojë. Pa një korrigjim të hartës territoriale, çdo tryezë dekorative dhe bashkëbisedim joefektiv për reformën zgjedhore do të prodhojë të njëjtat pasoja me reformën në fuqi.

Kompromisi Berisha-Rama

Kush fiton dhe kush tradhtohet? Pyetja që shtrohet sot është e thjeshtë: Pse PD-ja e Sali Berishës po pranon të kërcejë këtë “tango” të re pa kushtëzuar asgjë? Përgjigja qëndron te pragmatizmi i ngushtë mbijetues. Pas një periudhe të gjatë izolimi dhe lufte të brendshme, lidershipi i PD-së duket se po kërkon një legjitimitet të shpejtë institucional përmes një marrëveshjeje me Edi Ramën. Në vend që të bëjë presion jetik për një reformë të thellë që rikthen përfaqësimin real të komuniteteve, PD po mjaftohet me “arnime” të kodit zgjedhor që mbrojnë vetëm interesat e elitës aktuale politike.Ky kompromis është një marrëveshje në kurriz të opozitës dhe të gjithë qytetarëve. Duke lënë jashtë vëmendjes hartën territoriale, PD po pranon të futet në një lojë ku rregullat janë të paracaktuara nga kundërshtari. Kjo fasadë bashkëpunimi dypalësh vetëm sa legjitimon deformimet e vitit 2014 dhe vulos pafuqinë e pushtetit vendor përballë një ekzekutivi që kontrollon çdo metër katror të vendit.

Kronikë e një humbjeje të parashikueshme

Historia politike na ka mësuar se sa herë që PD hyn në marrëveshje kompromisi të mbyllura me PS-në pa pasur një kauzë parimore ,siç është ajo e decentralizimit dhe përfaqësimit të drejtë, ajo gjithmonë del si humbëse. Nëse ky bashkëpunim vazhdon pa një kushtëzim të prerë, PD do të dalë humbëse përsëri për disa arsye kryesore

1. Humbje elektorale e garantuar: Pa ndryshuar peshën e votës dhe kufijtë e qarqeve që penalizojnë opozitën, makineria elektorale e mazhorancës do ta ketë të lehtë të konfirmohet.

2. Humbje e kauzës morale: Duke u bërë pjesë e një procesi jo-transparent, PD humb të drejtën për të kontestuar nesër legjitimitetin e proceseve të ardhshme zgjedhore.

3. Zgjatje e jetës së sistemit aktual: Qytetarët do të mbeten sërish pa përfaqësim, ku periferitë dhe fshatrat mbeten shpesh jashtë vëmendjes së investimeve dhe shërbimeve bazë.

Guri i themelit për të ardhmen

Shqipëria sot ka nevojë për një reformë të re, të thellë dhe gjithëpërfshirëse, e cila të korrigjojë njëkohësisht deformimet e reformës administrativo-territoriale dhe ato të sistemit zgjedhor. Nuk mund dhe nuk duhet të ketë reformë zgjedhore reale pa rishikuar hartën territoriale, ashtu siç nuk mund të ketë decentralizim funksional pa garantuar përfaqësim të drejtë politik.Një reformë e re dhe e drejtë duhet të ketë në qendër

1. Rikthimin e përfaqësimit real të komuniteteve lokale, me përfaqësues të zgjedhur.

2. Fuqizimin e njësive administrative dhe decentralizimin financiar aty ku është e mundur.

3. Bërjen të mundur që qytetarët të marrin shërbimet e duhura lehtësisht dhe me sa më pak burokraci administrative.

4. Rishikimin e kufijve territorialë mbi baza ekonomike, sociale dhe demografike, jo politike.

Nëse Shqipëria kërkon një demokraci funksionale dhe një shtet më të drejtë, korrigjimi i reformës administrativo-territoriale dhe reformës zgjedhore duhet të ecin paralelisht. Presioni politik i opozitës (sidomos i Partisë Demokratike) në këtë proces është jetik për të ngjizur një kauzë realisht të rëndësishme në rast mosdakordësie dypalëshe. Ky është guri i themelit për proceset e ardhshme zgjedhore dhe për të ardhmen e saj si forcë politike!

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *