Një pjesë e tregut të shitjes me pakicë të fruta-perimeve në Lushnje është përfshirë nga flakët gjatë orëve të para të mëngjesit.
Sipas informacioneve paraprake, tregu ishte rikonstruktuar rreth tre vite më parë, ndërsa si pasojë e zjarrit janë djegur mbulesa plastike dhe tezgat e disa tregtarëve ambulantë.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë forcat zjarrfikëse të Lushnjes, të cilat kanë bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e flakëve, duke parandaluar përhapjen e zjarrit në pjesën tjetër të tregut.
Ndërkohë, grupi i punës nga emergjencat civile të bashkisë po evidenton dhe regjistron dëmet materiale të shkaktuara. Deri më tani nuk dihen ende shkaqet e zjarrit dhe nëse ai ka qenë aksidental apo i qëllimshëm.
Zona e tregut ruhet me roje private dhe monitorohet gjithashtu nga kamera sigurie. Policia e Shtetit ka nisur hetimet dhe po kryen këqyrjen e pamjeve filmike për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
