Shembet beach bar-i ‘Copacabana’ i lidhur me krimin në Sarandë, IKMT: Punimet pa leje, pronarja hoqi dorë nga shfrytëzimi i plazhit! 11.7 mln lekë gjobë

Shembet beach bar-i ‘Copacabana’ i lidhur me krimin në Sarandë, IKMT: Punimet pa leje, pronarja hoqi dorë nga shfrytëzimi i plazhit! 11.7 mln lekë gjobë

IKMT shembi sot “CopaCabana”, beach-bar e famshëm në Sarandë, i cili po ndërtohej pa leje. Për favorizimin e këtij biznesi, u arrestua javën e kaluar shefi i komisariatit dhe tre vartësit, me dyshimet se janë korruptuar nga pronarja që gjendet në arrati. Po kështu ka dyshime se pas saj fshihen grupe kriminale.

SARANDË- “Copacabana” e famshme në Sarandë u shemb këtë të hënë nga fadromat e IKMT-së. Aksioni vjen një javë pas arrestimit të kryepolicit të Sarandës dhe vartësve të tij, që kishin lejuar ndërtimin pa leje, nën dyshimet për ryshfet. “Beachbar-i” është në pronësi të Arjola Dhrami Bajos e cila është shpallur në kërkim prej 14 majit. Megjithatë, avokati i saj, pretendon se stacioni i plazhit disponon dokumentacion të rregullt dhe ka leje nga KKTU. “Vendim i paligjshëm. IKMT ka pretenduar se ndërtimi është pa leje. Sjell në vëmendje që bari ka qenë ekzistues, me dokumente pronësi në emër të Arjola Dhrami Bajo për të cilën kemi dorëzuar të gjithë dokumentacionet përkatëse. Stacioni është me leje, me vendim të KKTU-së dhe në mënyrë abuzive po kërkohet të prishet një biznes i ndershëm. Di bëj kallëzim për procedurën që është mbajtur, një stacion plazhi që e ka dhënë qeveria. I bie, që çdo bar këta të vijnë ta prishin. Si mund ta prishin një biznes të ndershëm, ekzistues”, thotë avokati Rigels Dervishi.Këtë pretendim e rrëzoi IKMT, e cila sqaroi se terren u konstatuan platforma betoni dhe druri, konstruksione metalike, mure mbajtëse, shkallë dhe një objekt betonarme. Sakaq, në tetor të 2025-ës, subjekti kishte kërkuar vetë nga Agjencisë Kombëtare të Bregdetit zgjidhjen e kontratës së qirasë për stacionin e plazhit. IKMT thekson se në kushtet kur kontrata nuk ishte më në fuqi dhe punimet e konstatuara në terren tejkalonin dukshëm parametrat e lejes, ndërtimi konsiderohet tërësisht pa leje. Për këtë arsye “Copacabana” u shemb dhe biznesi u gjobit me 11.7 mln lekë. Hetuesit dyshojnë se pas këtij atentati qëndron një grup kriminal me bazë në Kamëz, i cili ka dyshime se fshihet edhe pas ndërtimit të plazhit privat dhe në të tjera ngjarje kriminale në Sarandë. I njëjti grup, në vitin 2025, vetëm 3 muaj para atentatit të Isuf Jaçajt, dyshohet se organizoi edhe planin për t’i vrarë të birin, po me tritol në makinë, në korrik të 2025-ës, por i riu, Klaus Jaçaj shpëtoi.Ndërtimi pa leje u konstatua pas një denoncimi që mbërriti në adresën e kryepolicit Skëndër Hita, i cili vuri në lëvizje Policinë duke çuar në arrestimin e shefit të komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari si edhe tre inspektorë të policisë, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj. Të gjithë janë pezulluar nga detyra dhe Hita po përgatit edhe përjashtimin e tyre nga radhët e Policisë. Ata dyshohen për “Shpërdorim detyre”, “Kryerje të veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrje masash për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme”.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *