Problemet me furnizimin me ujë të pijshëm janë rikthyer sërish në Vlorë, ku Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka njoftuar ndërprerje të furnizimit në disa zona të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, shkak i situatës është një avari e rëndë e konstatuar në tubacionin kryesor 500, pranë zonës “Miramare”, e cila ka bërë të domosdoshëm stakimin e të gjitha stacioneve të ujësjellësit.
UKV bën me dije se kjo masë është marrë për të shmangur problematika të mëtejshme në rrjet dhe për të parandaluar dëmtime më të rënda në sistemin e furnizimit me ujë.
Në njoftim thuhet se grupet teknike janë angazhuar në terren dhe do të punojnë gjatë gjithë natës për riparimin e avarisë në kohën më të shpejtë të mundshme, me qëllim rikthimin e normalitetit në furnizimin me ujë.
Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve mirëkuptim dhe bashkëpunim deri në zgjidhjen e situatës.
Kjo nuk është hera e parë që qyteti përballet me ndërprerje të gjata të ujit të pijshëm. Kujtojmë se edhe në muajin dhjetor, Vlora mbeti pa ujë për rreth katër ditë, duke prekur mijëra familje dhe biznese, ndërsa defekti u riparua pas ndërhyrjeve teknike të posaçme dhe sjelljes së pjesëve hidraulike nga jashtë vendit.
