Pas një ecurie pozitive në tremujorin e parë, regjistrimet për herë të parë të automjeteve në Shqipëri kanë shënuar një rënie të lehtë në muajin prill, sipas të dhënave të publikuara nga DPSHTRR.
Gjatë prillit u regjistruan 8,707 mjete, me një tkurrje prej 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, për periudhën janar–prill, në rrugët e vendit janë shtuar gjithsej rreth 30.8 mijë automjete, ose 5.2% më shumë, të ndikuara nga performanca e fortë e tre muajve të parë të vitit.
Aktorët e tregut e lidhin frenimin e prillit me zhvillimet në Ngushtica e Hormuzit, ku tensionet kanë ndikuar në rritjen e kostove dhe vonesat në transportin e mjeteve. Vitet e fundit, pjesa më e madhe e makinave që importohen në Shqipëri vijnë nga Koreja e Jugut dhe Kina. Për katërmujorin, nga këto dy shtete kanë ardhur rreth 13 mijë mjete, ose 42% e totalit.
Për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, mjetet që më parë kalonin nga Ngushtica e Hormuzit po ndjekin rrugë alternative, duke rritur deri në 30% kostot e transportit dhe, për rrjedhojë, çmimet në treg. Kjo ka ndikuar si në uljen e kërkesës, ashtu edhe në zgjatjen e kohës së furnizimit.
Ndryshimi i kushteve të tregut ka ndikuar edhe në ritmin e makinave elektrike. Në prill u regjistruan 1,191 mjete elektrike, nga 1,252 në mars, megjithëse interesi mbetet i lartë për shkak të çmimeve të larta të karburanteve, me naftën që ka kaluar 200 lekë për litër.
Sipas të dhënave, automjetet me naftë vijojnë të dominojnë tregun, duke përbërë 53% të regjistrimeve për janar–mars, ose rreth 16.3 mijë mjete. Ndërkohë, në katër muajt e parë janë regjistruar rreth 4.1 mijë mjete elektrike, ose 13.5% e totalit.
Marka BYD po fiton terren me shpejtësi, me 2,830 regjistrime të reja vetëm në këtë periudhë. Ajo ndiqet nga Volkswagen, ndërsa në treg po hyjnë edhe marka të tjera kineze si Fang Cheng Bao dhe Wuling.
Në total, numri i mjeteve që qarkullojnë në Shqipëri ka arritur në rreth 1.08 milionë deri në fund të prillit, ku 80.7% janë autovetura. Kryesimin e tregut vijon ta mbajë Mercedes-Benz me 17.9% të totalit, e ndjekur nga Volkswagen (16.7%), Ford (7.3%), Daimler Chrysler (7.2%), Audi (6.3%), Toyota (4.2%), Opel (3.5%) dhe Fiat (3.3%).
Ndërkohë, BYD ka arritur në 5,524 mjete në qarkullim, ose 0.5% të totalit, ku më shumë se gjysma e tyre janë regjistruar vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti.
Burimi: Monitor
