Prokuroria pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër shtetas të akuzuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me pasoja të rënda, e parashikuar nga neni 287/3 i Kodit Penal.
Të pandehur në këtë çështje janë Arsuel Curaj, Alma Guraj, Gëzim Guraj dhe Vladimir Jacaj.
Sipas hetimeve të kryera në kuadër të procedimit penal nr. 1280 të vitit 2021, rezulton se të katër shtetasit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer një sërë veprimesh financiare dhe juridike të dyshuara si fiktive. Këto veprime përfshijnë kontrata shkëmbimi pronash, dhurime dhe shitje të ndryshme, si dhe transaksione bankare të simuluara.
Prokuroria thekson se këto veprime janë kryer me qëllim pastrimin e një shume prej rreth 500 mijë eurosh, e cila dyshohet se rrjedh nga veprimtari kriminale. Kjo shumë është sekuestruar më herët nga organi i akuzës gjatë hetimeve.
Çështja tashmë pritet të shqyrtohet në gjykatë, ku do të vlerësohen provat e mbledhura dhe përgjegjësia e secilit prej të pandehurve.
