Sektori i blegtorisë po përballet me vështirësi të shtuara për shkak të kostove të larta të prodhimit dhe nivelit të subvencioneve, ndërsa përfaqësuesit e blegtorëve paralajmërojnë rikthimin e protestave nëse kërkesat e tyre nuk marrin përgjigje nga institucionet.
Disa prej prodhuesve përfaqësues të sektorit i janë drejtuar me një letër kryeministrit Edi Rama, ministrit të Bujqësisë Andis Salla dhe ministrit të Financave Petrit Malaj, ku kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për situatën në sektorin e qumështit dhe blegtorisë.
Në letrën e tyre, blegtorët argumentojnë se situata është bërë emergjente dhe se problemet me të cilat përballet sektori nuk mund të shtyhen më.
“Blegtoria është në kushte të vështira mbijetese dhe nevoja për zgjidhjen e kërkesave tona bëhet përditë edhe më emergjente”, shprehen ata, duke rikujtuar dakordësimin e bërë gjatë takimit të 7 prillit 2026 me përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave.
Sipas tyre, në atë takim ishte rënë dakord që problematikat e sektorit të trajtoheshin gjatë muajit shtator. Megjithatë, përfaqësuesit e blegtorëve argumentojnë se zhvillimet në treg dhe rritja e kostove nuk lejojnë shtyrje të mëtejshme të zgjidhjeve.
7 kërkesa konkrete për qeverinë
Blegtorët kanë paraqitur shtatë kërkesa konkrete, të cilat sipas tyre janë të nevojshme për të garantuar vijimësinë e aktivitetit dhe për të përballuar kostot e prodhimit.
Në krye të kërkesave është ulja e kostos së naftës për sektorin e blegtorisë, përmes heqjes së akcizës dhe taksave mbi karburantin.
Kjo çështje ishte edhe një prej pikave kryesore të protestave të fermerëve në muajin prill, të cilët kërkuan rikthimin e skemës së naftës së subvencionuar. Sipas prodhuesve, kostot e karburantit dhe inputeve bujqësore kanë rënduar ndjeshëm mbi aktivitetin e tyre.
Një tjetër kërkesë lidhet me fondet e parealizuara nga skema e kompensimit 10% të TVSH-së. Blegtorët kërkojnë që këto fonde të rialokohen për subvencionimin e sektorit.
Aplikimet për kompensimin 10% të TVSH-së kanë nisur më 1 korrik, ndërsa efekti financiar i skemës në vitin e parë të zbatimit është parashikuar rreth 1.5 miliardë lekë. Përfaqësuesit e blegtorëve kanë shprehur më herët shqetësime mbi mënyrën e funksionimit të skemës dhe efektin e saj real te prodhuesit.
Subvencione më të larta dhe laborator shtetëror
Blegtorët kërkojnë gjithashtu rishikimin e skemave ekzistuese të mbështetjes dhe rritjen e subvencioneve. Sipas tyre, niveli aktual i mbështetjes nuk është i mjaftueshëm për të përballuar kostot dhe vështirësitë e sektorit.
Një tjetër kërkesë është krijimi i një laboratori shtetëror për analizimin e qumështit. Përfaqësuesit e sektorit kërkojnë që të forcohen mekanizmat e kontrollit dhe verifikimit të cilësisë së qumështit dhe produkteve të bulmetit.
Në listën e kërkesave përfshihet edhe vendosja e tarifave për importin e qumështit pluhur, vajit të palmës dhe hirrës.
Blegtorët kërkojnë ndërkohë forcimin e kontrolleve në kufi për qumështin e importuar, veçanërisht për parametrat që lidhen me aflatoksinën, proteinën, yndyrën dhe ngarkesën mikrobiologjike.
Kërkohet transparencë për origjinën e qumështit
Një tjetër shqetësim i ngritur nga prodhuesit lidhet me etiketimin e produkteve të bulmetit.
Ata kërkojnë që në etiketat e produkteve të bëhet e qartë origjina e qumështit të përdorur në prodhim, veçanërisht në rastet kur një produkt i tregtuar si vendas prodhohet duke përdorur qumësht të importuar.
Sipas blegtorëve, kjo do t’i jepte konsumatorit informacion më të qartë mbi origjinën e lëndës së parë dhe do të rriste transparencën në treg.
Paralajmërojnë protesta
Përfaqësuesit e sektorit kanë paralajmëruar se, nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë, mund të rikthehen protestat e blegtorëve.
Në letrën drejtuar institucioneve, ata kërkojnë një takim të përbashkët me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Financave, duke e konsideruar situatën të emergjente.
“Kërkesat e sipërcituara janë jetike për situatën ku ndodhet aktualisht sektori i blegtorisë dhe rrjedhimisht kërkojmë një takim të përbashkët me të dy Ministritë sa më parë që të jetë e mundur, pasi çdo ditë e më tepër po vështirësohet mbijetesa e këtij sektori”, thuhet në letrën e tyre.
7 kërkesat e blegtorëve:
- Krijimi i një laboratori shtetëror për analizat e qumështit.
- Ulja e çmimit të naftës për blegtorët përmes heqjes së akcizës dhe taksave.
- Vendosja e tarifave për vajin e palmës, qumështin pluhur dhe hirrën.
- Rishikimi dhe rritja e subvencioneve për blegtorët.
- Etiketimi i produkteve duke përcaktuar origjinën e qumështit të përdorur.
- Rialokimi i fondeve të parealizuara nga skema e kompensimit 10% të TVSH-së drejt subvencioneve për blegtorët.
- Forcimi i kontrolleve në kufi për qumështin e importuar, përfshirë analizat për aflatoksinë, proteinën, yndyrën dhe ngarkesën mikrobiologjike.

